Ushqimi
Kampi i Tepelenës vjen në kujtesën e të gjithë atyre që e jetuan kryesisht me peshën e madhe të mungesave jetike që përballeshin çdo ditë. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.
Në raportin e publikuar nga CIA në maj të vitit 1953, dokumentohej se ushqimi në sasi qesharake gatuhej nga vetë të burgosurit. Çdo i burgosur duhej të merrte 600 gram bukë gruri në ditë (hera herës edhe më pak); kishte tre vakte në ditë: çaj në mëngjes, një supë me fasule, makarona ose patate për drekë, dhe shpeshherë e njëjta gjë edhe për darkë; ndonjëherë në këtë dietë shtohet edhe oriz. “Ushqimi zakonisht nuk gatuhet me kujdes të duhur dhe në kushte jo higjienike, ndaj është pa shije dhe jo i shëndetshëm. Ai është gjithmonë i pamjaftueshëm, aq sa shumë prej të burgosurve, kur marrin racione e bukës në mëngjes, e hanë menjëherë dhe nuk u mbetet gjë për dy vaktet e tjera”, –shkruhej në raport.
Por dëshmia kryesore dokumentohet nga vetë të mbijetuarit e kampit të Tepelenës, ish-të internuar të cilët jetuan mes territ të atij vendi, skamjes dhe ambientit drakonian që ofronte ai vend.
DESHMI
“Ushqimi ishte shumë i keq. Lëng me krimba brenda me një kokërr fasule. Çaj në mëngjes, ujë me ngjyrë. Racioni për ata që punonin ishte 600 gramë. Për ne që rrinim aty ishte 400 gramë. Uria ishte dukuria më e zakonshme në atë mjedis”.
Eugen Merlika
“Asnjë teshë, asnjë fije ushqim, asnjë fije çaji, as çfarë ka falë zoti e kësaj toke nuk na kanë dhënë. Jetonim vetëm me 600 gram bukë thatë. Pas një viti na kanë prurë nja 20 fuçi hekuri. I kanë prerë përgjysmë, medemek për të na bërë gjellë. Kishte ndryshk. Skamje. 4 gram vaj e kanë thënë, medemek se 4 gramë vaj e ke”.
Nikollë Dojanaj
“Zienim makarona me miza. Ca kohë na jepnin dy lekë bukë, një tani dhe një nesër në të njëjtin vakt se u pre dhe buka, nuk kishte”
Gjelë Gjikola
“Aty ka qenë mizerje. Gjellën që na e bënin i thonin bollgur. Vallaj, me kryma na erdhke shumë! Vallaj sa me mbajt shpirtin, bilës po mendoj si kemi rrnue me ato çka hanim?”
Haziz Haziraj
“Ndiznin ndonjë zjarr me u nxehur ujë pleqve, këta që ishin në moshë, me u ba nga një çaj. Çaj i thënçin, se ishte një ujë aty edhe...hajt. Dreka ishte por siç dihet mirë, ishte bollguri që hanim, gjithë kryma. Nënat tona na rreshtonin kështu, i pastronin krymat na ushqenin ne dhe, çfarë mbeste nga kjo e hanin vetë”
Bardha Mëlyshi